NAREA® prezanton matjen e parë kombëtare të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme

Nr. Prot. 946

Datë 21 / 09 / 2026

NGA: "Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë" (NAREA®), e themeluar me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Nr. 5227, datë 22/01/2016, me seli në adresën Rruga "Elbasanit", Pallati 10/1, Kati 1, Apartamenti 3, Njësia Administrative 2, Tiranë, referuar si NAREA®.

DREJTUAR: Mediave audiovizive dhe të shkruara

LËNDA: NAREA® prezanton matjen e parë kombëtare të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme

Vrojtimi Bazë 2026: Rreth 9 në 10 agjenci të përfaqësuara në vrojtim janë të licencuara, por vetëm rreth 4 në 10 agjentë që veprojnë realisht në treg vlerësohen si plotësisht të formalizuar. NAREA® paraqet 15 rekomandime për reforma dhe 10 indikatorë monitorimi deri në vitin 2030.

Tiranë, 21 shtator 2026 — Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA®) prezantoi sot gjetjet e Vrojtimit Bazë të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme 2026, matja e parë sistematike kombëtare që analizon strukturën, sfidat dhe prioritetet e reformës në këtë profesion. Në prezantim ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve partnere kyçe, të Ministrisë së Drejtësisë, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Këshillit të Investimeve, noterisë, sektorit bankar dhe të ndërtimit, shoqërisë civile dhe medias.

Vrojtimi u zhvillua gjatë periudhës 16 korrik–7 gusht 2026 dhe prodhoi 140 pyetësorë të plotësuar plotësisht, nga 495 hyrje në instrument. Analiza mbulon shtatë dimensione: profilin e profesionit, informalitetin, vetërregullimin, kuadrin ligjor dhe efektet e tij të perceptuara, integritetin dhe ekspozimin ndaj korrupsionit, pajtueshmërinë AML/CFT dhe prioritetet e reformës.

Diagnoza: Profesioni është i formalizuar në dokumente dhe kërkon ndërhyrje me reforma thelbësore për formalizimin e terrenit.

Gjetja qendrore e vrojtimit është e qartë: profesioni është më i formalizuar në dokumente sesa në terren. Rreth 9 në 10 agjenci të përfaqësuara në kampion, deklarojnë se janë të licencuara sipas Ligjit nr. 9/2022, ndërsa shumica e të anketuarve zotërojnë licencë personale. Megjithatë, këta profesionistë e vlerësojnë nivelin real të formalizimit të tregut me vetëm 2.4 pikë nga 5.

Sipas vlerësimit të tyre për tregun ku veprojnë: • vetëm rreth 4 në 10 agjentë janë tërësisht të formalizuar dhe të licencuar; • rreth 3 në 10 janë vetëm pjesërisht të formalizuar; • rreth 3 në 10 veprojnë në mënyrë tërësisht informale; • pothuajse të gjithë profesionistët ndeshen me operatorë të palicencuar, dhe gati gjysma i hasin ata të paktën një herë në muaj.

Këto të dhëna tregojnë se problemi nuk është thjesht mungesa e licencave, por mungesa e një tregu ku licenca, standardi profesional dhe respektimi i ligjit të krijojnë realisht avantazh konkurrues.

Informaliteti: deformim kryesor i konkurrencës

3 nga 4 të anketuar identifikojnë konkurrencën e pandershme si shkakun kryesor të informalitetit. Ky rezultat e zhvendos debatin përtej përgjegjësisë individuale të agjentëve.

Kur operatorët informalë shmangin kostot e licencimit, tatimeve, dokumentimit, trajnimit dhe pajtueshmërisë, subjekti i rregullt përballet me një disavantazh ekonomik. Në këtë mënyrë, informaliteti nuk dëmton vetëm administrimin publik: ai krijon një treg ku profesionalizmi dhe korrektësia ndëshkohen, ndërsa mosrespektimi i rregullave shpërblehet.

Një nga përfundimet e vrojtimit është se formalizimi nuk mund të matet vetëm me numrin e licencave të lëshuara. Ai duhet të matet me aftësinë e tregut për të përjashtuar, identifikuar dhe disiplinuar operatorët e palicencuar.

Ligji njihet. Zbatimi mungon.

Rreth 3 nga 4 profesionistë njohin Ligjin nr. 9/2022. Megjithatë, vetëm rreth 3 në 10 e konsiderojnë atë realisht të zbatueshëm në praktikë.

Gati 6 në 10 të anketuar konstatojnë, një lloj përmirësimi gjatë viteve të fundit, por vetëm rreth 2 në 10 shohin ndryshime të qarta dhe të prekshme. Në përgjigjet e hapura, mungesa e zbatimit, kontrollit dhe sanksioneve renditet si shqetësimi kryesor.

Ligji i miratuar nga Ministria e Drejtësisë vlerësohet se ka ndikuar pozitivisht në integritetin e profesionit. Por ndikimi i tij në formalizimin real të tregut mbetet më i kufizuar. Kjo tregon se reforma ligjore ka krijuar një bazë të rëndësishme, por nuk ka prodhuar ende një mekanizëm të plotë zbatimi.

"Ky raport nuk është kundër reformës; është një thirrje për ta çuar reformën deri në fund. Ligji i miratuar ka vendosur standardin, por tregu ende nuk funksionon plotësisht sipas atij standardi. Distanca mes ligjit dhe realitetit është pikërisht hapësira ku duhet të përqendrohen institucionet, profesioni dhe partnerët e tij." Dritan CAKA — Kryetar i Bordit, NAREA®

Sektori kërkon transparencë përpara ndëshkimit

Sektori nuk kundërshton kontrollet apo sanksionet. Përkundrazi, rreth 6 në 10 profesionistë kërkojnë forcim të kontrolleve ndaj operatorëve informalë. Por përgjigjja e tyre është e qartë: zbatimi duhet të nisë me transparencën, standardizimin dhe identifikimin e qartë të operatorëve të ligjshëm.

Masat më të mbështetura janë: • Regjistri publik online i ndërmjetësve dhe agjencive të licencuara. • Trajnimet e detyrueshme dhe periodike. • Kritere më të qarta për licencimin dhe ushtrimin e profesionit. • Kontroll më efektiv ndaj operatorëve të palicencuar. • Kod etik i detyrueshëm për të gjithë profesionistët.

Mbështetja për vetërregullimin është veçanërisht e lartë. Pothuajse të gjithë të anketuarit mbështesin një kod etik të detyrueshëm, ndërsa rreth 7 në 10 shprehin gatishmëri për krijimin e një Dhome Kombëtare të Profesionit të Ndërmjetësit të Pasurive të Paluajtshme.

Kjo tregon se sektori kërkon jo thjesht më shumë rregulla, por një arkitekturë profesionale që e bën cilësinë, etikën dhe licencën të verifikueshme për qytetarët, institucionet financiare dhe palët e tjera të tregut.

"Ne nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë një treg ku profesionisti i licencuar, i trajnuar dhe i përgjegjshëm të mos konkurrohet nga informaliteti. Publikimi i këtyre të dhënave është një akt transparence: sektori po pranon problemet e tij dhe po paraqet zgjidhje të matshme për t'i adresuar ato. Ky është ndryshimi mes një shoqate që mbron një sektor dhe një shoqate që e drejton atë. NAREA® zgjodhi të dytën, dhe do të matet publikisht kundrejt dhjetë indikatorëve deri në vitin 2030." Reinaldo PIPIRIA — Drejtor Ekzekutiv, NAREA®

Nga diagnoza te reforma

Policy Brief-i shoqërues i Vrojtimit Bazë 2026 paraqet 15 rekomandime konkrete, të organizuara në 5 fusha prioritare: • Pajtueshmëria dhe Integriteti profesional • Vetërregullimi profesional dhe standardet etike. • Formimi, trajnimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm. • Transparenca, regjistrat publikë dhe përdorimi i të dhënave. • Advokimi institucional dhe përmirësimi i kuadrit ligjor.

secila e vendosur në nivelin institucional të veprimit.

NAREA® ka vendosur gjithashtu 10 indikatorë bazë për monitorim deri në vitin 2030. Synimi është që formalizimi i tregut, zbatueshmëria praktike e ligjit dhe konvertimi i alarmeve në raportime AML/CFT të mos mbeten objekt deklaratash, por të maten publikisht dhe rregullisht.

FAKTET KRYESORE — VROJTIMI BAZË 2026

TREGUES KRYESOR | TË DHËNAT KRYESORE Pjesëmarrja në vrojtim | 140 pyetësorë të plotësuar plotësisht Agjencitë e licencuara në kampion | Rreth 9 në 10 Agjentët plotësisht të formalizuar në treg | Vetëm rreth 4 në 10 Indeksi i formalizimit | 2.4 nga 5 Konkurrenca e pandershme si shkak kryesor | Rreth 3 në 4 profesionistë Mbështetja për Dhomë të Profesionit | Pothuajse 100% Paketa e reformës | 15 rekomandime, 10 indikatorë- 2030

Rreth NAREA®

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA®) është organizata përfaqësuese e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. NAREA® punon për formalizimin e tregut, standardet profesionale dhe etike, pajtueshmërinë me detyrimet AML/CFT dhe mbrojtjen e konsumatorit, në përputhje me kuadrin ligjor shqiptar dhe me praktikat evropiane të profesionit. NAREA® është pjesë e rrjetit evropian të profesionit përmes CEPI aisbl- the European Association of Real Estate Professions në Bruksel, është Partner Bilateral i NAR- the National Association of REALTORS® në Washington D.C. dhe kontribuon në procesin e përafrimit të sektorit me acquis-në e Bashkimit Evropian.

Vrojtimi Bazë 2026 dhe Policy Brief-i janë hartuar nga Dr. Zef Preçi në kuadër të Projekti "Nga Vlerësimi te Advokimi: Forcimi i Profesionit të Ndërmjetësit të Pasurive të Paluajtshme dhe Kuadrit Rregullator në Shqipëri", i cili zbatohet nga NAREA® dhe financohet nga Center for International Private Enterprise (CIPE), Washington D.C.

SHËNIM PËR REDAKSINË

Policy Brief-i dhe të dhëna nga vrojtimi vihen në dispozicion të redaksive me kërkesë. Për intervista kontaktoni zyrën e NAREA®.

KONTAKT PËR MEDIA Reinaldo Pipiria- Drejtor Ekzekutiv, NAREA® [email protected] • +355 69 40 40 150/240 • narea.al

PËR PUBLIKIM TË MENJËHERSHËM E Hënë, 21 shtator 2026, ora 13:00

2026 All right reserverd © National Albanian Real Estate Association

Design by Gremza

NAREA

NAREA

#YourEdgeInRealEstate

I will be back soon

NAREA
Hey there 👋
It’s your expert from NAREA.
How can I help you?
Start Chat with: